Bsilimi: Progresi i integrimit evropian të Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë më i madh sesa tash

Zëvendëskryeministri Bislim Bislimi, ka thënë se ‘ajo që nuk realizohej për më shumë se një dekadë, u jetësua brenda mandatit tonë qeverisës’.

“Progresi në procesin e integrimit evropian të Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë më parë më i madh sesa tash. Përtej nivelit të lartë të zbatimit të reformave dhe avancimit në agjendën e tyre, në përmbajtje të saj kanë qenë dhe reforma të cilat nuk zbatoheshin me vite. Kjo, konstatohej si pikë negative apo pengese edhe në vetë raportet e mëparshme të Komisionit Evropian”, ka shkruar Bislimi në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

“Në pak kohë, shumë punë të lëna në harresë nga pozita e atëhershme dhe opozita e sotme, gjetën epilog. Shumë prej tyre, përveçse sundimin e ligjit, preknin edhe luftimin e korrupsionit. Kjo e shqetësonte dhe brengoste pushtetin e dikurshëm: transparenca dhe llogaridhënia”.

Bislimi ka listuar dhe reformat ‘të cilat kishin me raste edhe më shumë se një dekadë që nuk miratoheshin dhe zbatoheshin’:

– Pakoja e tre ligjeve kundër korrupsionit: Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, 2) Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave dhe 3) Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore;

– Ligji për financimin e partive politike;

– Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme;

– Rregullorja e Kuvendit të Kosovës ;

– Terminalet doganore private nuk ishin në harmoni me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe ne kaluam drejt kalimit gradual nga ato private në ato publike;

– Ligji i Përgjithshëm për Inspektimet;

– Ligji për Ushqimin që rregullon sigurinë, cilësinë dhe kontrollin e ushqimit;

– Ligji për Rezervat e Detyrueshme të Naftës;

– Transferimi i inspektorëve të sigurisë ushqimore nga komunat në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.