Broja udhëton me Chelsean drejt SHBA-së, tifozët kundër sulmuesit: Edhe sa shanse do i japim?

Teksa e ardhmja e Armando Brojës është në pikëpyetje, Chelsea zgjodhi që ta marrë atë me vete drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për turin që zhvillohet përpara startit të sezonit.

Një vendim që duket se nuk është pritur aspak mirë nga fansat e “Bluve” të Londrës. Mesa duket, ata nuk kanë më besim te ylli i Kombëtares shqiptare dhe kërkojnë menjëherë largimin e tij.

“Jam ende i habitur se si Broja arriti të hynte fshehurazi në avion”, “Edhe sa shanse do i japim Brojës?”, “Ende nuk e kuptoj pse Broja është në avion, por do e shohim”, “Pse Broja është ende këtu?”, ishin disa nga komentet në postimin e Chelseat për ekipin e grumbulluar.

Interesi për 22-vjeçarin e Kombëtares nuk mungon, me shumë klube që janë të gatshme të futen në bisedime me Chelsean, teksa trajneri Enzo Maresca pritet të marrë vendimin përfundimtar për të pas turit në SHBA.