Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë të martën në aktivitetin e performancës së skijimit nga fëmijët e shkollave të ndryshme, në kuadër të programit “Drejt Malit”, në Brezovicë.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media dërguar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë se me pesë partnerë të programit, me mbi 400 nxënës pjesëmarrës, e me mbi 100 instruktorë, vullnetarë, mësimdhënës, kujdestarë të veçantë dhe prindër, ky program shënon angazhimin e përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve dhe edukimin jo-formal përmes aktivitetit fizik.
“Kjo bëhet e mundshme vetëm atëherë kur ekziston lidhje e ngushtë e arsimit me sportin dhe e sportit me shëndetin”, u shpreh ai.
Përtej kësaj, Kurti tha se programi “Drejt Malit” flet edhe për kapacitetet madhështore që Malet e Sharrit kanë për zhvillimin e sportit dhe turizmit malor dhe se ky është sezoni e parë dimëror i 20 vjetëve të fundit, që qendra e skijimit Brezovica ka rregulluar statusin e saj të funksionimit dhe ka kthyer imazhin e saj prej një margaritari të bardhë.
Teksa ka folur për karakteristikat që e veçojnë Brezovicën, Kurti përmendi edhe pjesëmarrjen e dytë në Lojërat Olimpike Dimërore me dy sportistë të rinj, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu.
Ky program do të vazhdojë të zbatohet edhe në vitet në vazhdim, bëri të ditur ai, me synimin që të rrisim numrin e nxënësve pjesëmarrës dhe fëmijëve që skijojnë në Kosovë.
Para medieve, ndër të tjera ai tha se i ka bërë përshtypje bashkëpunimi në mes komuniteteve që punojnë dhe frekuentojnë qendrën e Brezovicës, duke e bërë kështu Brezovicën një tregim të suksesit e komunitetit të integruar pa dallim.