Avdullah Hoti mori sot zyrtarisht detyrën e re si kryeministër i Kosovës. Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Kurtit, Hotit erdhi në krye të qeverisë si i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Brenda vetëm një viti, Kosova në karrigen e kryeministrit pa tri personalitete të ndryshme.
Këtë ditë, një vit më parë, kryeministër i Kosovës ishte Ramush Haradinaj. Atë periudhë, nuk flitej askund se qeveria nuk do ta kryente mandatin e saj, për çfarëdo arsye, shkruan lajmi.net.
Më shumë se një muaj më vonë, Haradinaj do të tërhiqej nga pozita e kryeministrit të Kosovës, me arsyetimin e ftesës së ardhur nga Prokuroria e Specializuar e Hagës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.
Dorëheqja e Haradinajt në Kosovë solli edhe zgjedhjet e reja. Pas disa ditë fushatë zgjedhore, më 6 tetor në vend u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat u fituan nga opozita e atëhershme. Vetëvendosje doli e para, me një dallim të vogël në vota me Lidhjen Demokratike të Kosovës që doli e dyta.
Pas pesë muajsh negociata për koalicion, LDK dhe VV arritën marrëveshje. Më 2 shkurt, në Kuvendin e Kosovës u votua qeveria e re dhe në krye të qeverisë erdhi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ky i fundit në deklarimet e tij publike, jepte sinjale se qeveria e tij me LDK-në, do ta çonte deri në fund mandatin e saj, e madje sipas tij pas përfundimit do të krijohej edhe një koalicion i dytë.
Mirëpo kështu nuk ndodhi. Më 18 mars, në kohë pandemie Kurti shkarkoi njërin ndër ministrat kryesor që vinte nga LDK-ja, Agim Veliun, ky i fundit nënkryetar i LDK-së.
Veprimi në fjalë i Kurtit i dha fund parnteritetit me LDK-në. Shtatë ditë më pas, më 25 mars, në Kuvendin e Kosovës me mocion të mosbesimit u rrëzua edhe Kurti.
Ndryshe nga rasti i Haradinajt, Kosova kësaj radhe nuk shkoi në zgjedhje të parakohshme. Presidenti pas rrëzimit të Kurtit, ia dha mandatin Avdullah Hotit të LDK-së që t’i bëj numrat për krijimin e qeverisë së re.
Ky veprim i presidentit u kontestua nga Vetëvendosje. Kjo e fundit dërgoi në Kushtetuese dekretin e presidentit për mandatarin e qeverisë, ndërsa instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë e pezulloi për gati një muaj këtë dekret.
Më 28 maj, një ditë para përfundimit të masës pezulluese, Kushtetuesja i dha të drejtë presidentit për dekretin, dhe kështu i hapi rrugë formimit të qeverisë së re me Avdullah Hotin në krye.
Në seancën e mbajtur dje, Avdullah Hoti u zgjodh kryeministër me 61 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Brenda një viti, në qeverinë e Kosovës dha dorëheqje Haradinaj, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme, u zgjodh Kurti në pozitën e kryeministrit, u shkarkua Kurti, u zgjodh Avdullah Hoti.
Hoti mori sot zyrtarisht detyrën e tij si kryeministër. Në mbledhjen ceremoniale ai tha se do të ketë ndryshime nga qeveritë e kaluara, përfshirë diskursin e përdorur si dhe angazhimin ditor në punët që e presin qeverinë e re.
Hoti vjen në vendin e Kurtit, pasi që paraprakisht ishte shkarkuar nga ky i fundit, menjëherë pas rrëzimit të qeverisë. /Lajmi.net/