“Brenda një dite mund të ndodhin gjithë këto procedura; atëherë nga ajo ditë brenda 15 ditësh duhet të mbahet mbledhja e Kuvendit ku do të votohet përbërja e Qeverisë”.
Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Kushtrim Palushi, ka thënë se brenda një ditë [të hënën] mund të bëhet konstituimi i Kuvendit si dhe dorëzimi i mandatarit për kryeministër.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka shtuar se nga data e dorëzimit të emrit të mandatarit për kryeministër, janë 15 ditë deri në mbledhjen e Kuvendit ku votohet për përbërjen e Qeverisë.
“Të hënën është seanca për konstituimin e Kuvendit – nuk mund të kalojmë në zgjedhjen e Qeverisë dhe as në zgjedhjen e Presidentit nëse nuk kemi Kuvend të konstituuar”.
“Parashihet që edhe nëse nuk arrihet të konstituohet Kuvendi, atëherë vendi mund të shkojë përsëri në zgjedhje”.
“Mirëpo tashmë duket qartë se nuk do të këtë vështirësi në konstituimin e Kuvendit sepse Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar shumicën për të zgjedhur si krye-parlamentarin ashtu edhe Qeverinë”.
Sipas tij, procedura e konstituimit të Kuvendit do të jetë më shumë formale në aspekt të betimit, verifikimit të mandateve dhe zgjedhjes së kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit.
“Nuk ka një afat të caktuar kohor brenda të cilit duhet të mandatohet kandidati për kryeministër. Mirëpo në momentin që kandidati për kryeministër mandatohet nga ana e presidentit me propozimin e partisë politike që ka fituar shumicën, në këtë rast VV, atëherë ai kandidat për kryeministër duhet brenda 15 ditësh të dalë në Kuvend dhe ta propozojë përbërjen e Qeverisë dhe brenda 15 ditëve të votohet përbërja e Qeverisë në Kuvend”.
“Kështu që nëse Kuvendi konstituohet të hënën dhe ushtruesi i detyrës së presidentit – kushdo që të jetë kryetar i Kuvendit – menjëherë ia kërkon partisë politike [VV] që ta dorëzojë mandatarin për kryeministër dhe VV mundet po ashtu të hënën t’i përgjigjet”.
“Brenda një dite mund të ndodhin gjithë këto procedura; atëherë nga ajo ditë brenda 15 ditësh duhet të mbahet mbledhja e Kuvendit ku do të votohet përbërja e Qeverisë”.