Luftëtari shqiptar Ramiz Brahimaj ka pësuar humbje në debutimin e tij në UFC në Las Vegas mbrëmë me kohë lokale.
Brahimaj u ndal në raundin e tretë nga Max Griffin. Referi kishte ndërprerë meçin, pasi pa lëndimin e rëndë që kishte marrë në vesh Brahimaj. Brahimaj u lëndua pas një goditje që mori nga Griffin dhe dukej sikur veshi do t’i binte. Por luftëtari shqiptar në Facebook ka thënë se është mirë dhe se do të kthehet më i fortë.
“Përshëndetje të gjithë! Jam mirë. Është thjeshtë një plagë sipërfaqësore. Uroj kundërshtarin tim që bëri luftë të madhe dhe jam vërtetë i lumtur që ndava kafazin me të dhe i uroj gjitha të mirat. Unë do të shërohem e do të kthehem sërish. E vlerësoj nga shpirti gjithë përkrahjen që kam marrë. Goditjet nuk janë asgjë e re për mua, thjeshtë do të më bëjnë më të fortë. Shumë dashuri dhe do të kthehem së shpejti”, ka shkruar Brahimaj.
Brahimaj është bërë luftëtari i dytë shqiptar që ka luftuar në serinë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera (MMA), në UFC. Në këtë seri lufton edhe Ilir Latifi.