Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur sot në takim ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Me të ka diskutuar për masat që ka ndërmarrë BQK në ndihmë ekonomisë, por edhe në respektimin e masave të kërkuara nga MSH dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, njofton Klan Kosova.
Mehmeti dhe Zemaj po ashtu adresuan mbarëvajtjen e procesit të policave të sigurimit shëndetësore dhe çështjen e mbulueshmërisë së sigurimeve shëndetësorë nga kompanitë e sigurimeve, që operojnë në Kosove në trajtimin e rasteve të COVID-19.
Po ashtu u diskutuan edhe zhvillimet dhe dinamika për plotësimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe sfidat të cilat duhet të adresohen përmes këtij ligji, përfshirë në veçanti situatat e ballafaqimit me pandemi të përmasave globale siç është COVID-19.
Mehmeti tha se BQK do të vazhdojë të mbështesë institucionet relevante në iniciativa ligjore dhe implementim e udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e COVID- 19, me qëllim të mbrojtjes së shëndetin publik dhe ballafaqimit me pasoja sa më të lehta në menaxhimin e kësaj pandemie.
Nga ana tjetër, ministri Zemaj shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe më tutje me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik që do të jetë në funksion të ruajtjes dhe rimëkëmbjes së ekonomisë.