Shoferët kosovarë për vite me radhë kanë paguar më shtrenjtë sigurimin e veturës përmes zbatimit të parregullt të sistemit Bonus-Malus. Këtë e ka mundësuar ndryshimi i një rregulloreje të BQK-së në vitin 2020 në “rrethana të dyshimta”, rregullore kjo e cila po hetohet nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Hulumtimi mbi këtë rregullore është publikuar vitin e kaluar nga Buletini Ekonomik, ndërsa ende nuk ka një vendim nga Institucioni i Avokatit të Popullit që po merret me këtë rast tash e disa muaj.
Si praktikë ndërkombëtare, sistemi “Bonus-Malus”, merr për bazë një histori njëvjeçare të shoferëve dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe, llogaritë bonusin ose malusin.
![](http://buletiniekonomik.com/wp-content/uploads/2024/11/Banka-Ekonomik-banera-t-roc_1456x180.png)
Një person që nuk shkakton aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hynë në kategorinë bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajnë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë malus.
Deri në vitin 2020, në Kosovë ky sistem ishte zbatuar vetëm sipas kriterit kur shoferët shkaktonin ose jo aksidente në komunikacion. Sipas ekspertëve të sigurimeve, kështu e parasheh edhe praktika ndërkombëtare në të gjitha vendet e botës.
Por, rregullorja paraprake e hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila është në fuqi që nga viti 2012, pësoi ndryshime në korrik të vitit 2020. Zbatimi i këtij sistemi, tani u zgjerua edhe për rastet kur shoferët vonohen në përtëritjen e kontratës për sigurim të veturës.
Nga muaji korrik i vitit 2020, shoferët kosovarë kanë paguar sigurimin e veturës më shtrenjtë sa herë që janë vonuar në pagesën e sigurimit të veturës. Atyre u është njohur sistemi bonus-malus në këto raste, sikur të kishin shkaktuar aksidente.
Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia dhe Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus Malus, zbatimi i këtij sistemi bazohet vetëm “në historikun e dëmeve të të siguruarit (policëmbajtësit)”. Në asnjërën prej këtyre dokumenteve, nuk përcaktohet të jetë bazë për zbatimin e sistemit bonus malus edhe kriteri për vonesat në kontraktimin e sigurimit.
Edhe ekspertët e sigurimëve patën thënë për Buletinin Ekonomik se sistemi Bonus-Malus nuk ka të bëjë me afatet për regjistrim të veturës.
Ky rast tashmë është duke u hetuar nga Avokati i Popullit, pas një ankese që kishte mbërritur në këtë institucion nga një qytetar. Dyshohet se përmes këtij ndryshimi, shoferët kosovarë janë kushtëzuar jashtëligjshëm.
Por ndryshe po e shohin këtë ndryshim në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), e cila në bazë të ligjit e mbikëqyr tregun e sigurimeve.
Në një përgjigje me shkrim nga institucion thuhet se ndryshimi i rregullores në fjalë është bërë për ta “rregulluar edhe mënyrën e rinovimit të policës duke i nxitur qytetarët në sigurimin me kohë të automjeteve të tyre, në rast se ata nuk i ç’regjistrojnë automjetet”.
“E gjithë me objektivin që të tentohet që të sigurohet që pjesëmarrësit që dalin në trafik të kenë police të vlefshme me mbulesë siguruese ndaj palëve të treta deri në 1 milion euro, ashtu siç përcaktohet me Ligjin Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia”, thonë nga BQK.
Sipas tyre, me të njëjtën Rregullore është aprovuar edhe një ndryshim tjetër i rëndësishëm duke rritur shkallën e Bonusit për 5%. Rrjedhimisht, drejtuesit e automjeteve të cilët në vazhdimësi nuk kanë shkaktuar aksidente mund të marrin lirim në policë në masën prej 55% (nga 50% sa ishte maksimumi i lejuar). “Të gjithë drejtuesit e automjeteve kanë të drejtën në bonus duke u bazuar në Rregulloren e lartpërmendur, pra në asnjë rrethane nuk është privuar asnjë drejtues nga e drejta për bonus sipas Rregullores”.
Sipas BQK, prej vitit 2020, kur edhe janë bërë ndryshimet e fundit në Rregullore, siguruesit kanë dhënë rreth 17.5 milionë euro zbritje (bonus) për drejtuesit e përgjegjshëm në trafik, ndërsa kanë përfituar nga malusi rreth 2 milionë euro, me një rezultat neto prej 15.5 milionë euro. Duke u bazuar në Rregulloren përkatëse dhe të dhënave nga sistemi për periudhën njëvjeçare (30 qershor 2024) rezulton se 71% të policëmbajtësve janë në kategorinë e Bonusit, 25% janë në shkallën bazë kurse vetëm 4% për shkak të historikut të mëparshëm gjenden në Malus.