Për shkak të pandemisë, ndër masat e marra nga Qeveria në detyrë ishte edhe mospagesa e detyrimeve tatimore.
Me një vendim të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, pagesa e këtyre detyrimeve u shty deri më 30 prill.
Oda Ekonomike Amerikane, për shkak të vazhdimit të situatës së krijuar nga koronavirusi, ka bërë kërkesë në këtë ministri, që afati të shtyhet tutje.
Mes të tjerash, Zeka vlerëson se bizneset nuk janë të gatshme të paguajnë ende këto detyrime, raporton KOHA.
E Banka Qendrore e Kosovës me kërkesë të bankave ka shtyrë edhe për tre muaj të tjerë pagesat e këstit të kredive.
Në një përgjigje të BQK-së, thuhet se bankat kanë vlerësuar se vazhdimi i masave kufizuese ka ndikuar në vështirësi te huamarrësit, të cilët kanë bërë kërkesë për shtyrje.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës bashkë me Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë marrë vendim që për huamarrësit (biznese dhe individë), të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, t’iu mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë. Në ndërkohë, bankat duke vlerësuar vazhdimin e masave kufizuese të vendosura dhe vështirësitë e raportuara nga huamarrësit, kanë bërë kërkesë për shtyrjen e pezullimit të pagesave të kësteve për kredi për një afat prej tre muajsh, gjë të cilën BQK-ja e ka aprovuar”, është thënë nga BQK-ja.
Ndërkaq, Ministria e Financave dhe Transfereve nuk është përgjigjur lidhur me mundësinë e shtyrjes së pagesës së detyrimeve tatimore edhe për një periudhë tjetër.