Fatih Ozer, bosit të kriptomonedhës turke “Thodex” që u arrestua pak ditë më parë në vendin tonë, ka dalë sot para gjykatës së Elbasanit, për t’u njohur me masën e sigurisë.
Faruk Fatih Özer u kap në Himarë si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara.
Prokuroria kërkon miratimin e arrestimit provizor të shtetasit turk, të kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Nga informacioni i dërguar nga Difuzioni i Interpolit, në dosjen e Ozer, thuhet se ai ka krijuar një platformë online të quajtur “Thodex” me funksion shkëmbimin e kripto-monedhës. Pasi ka akumuluar afërsisht 2 miliard USD pasuri në asete digjitale, ky i arrestuar ka mbyllur platformën dhe mediat sociale dhe është larguar nga territori turk më datë 20.04.2021.