Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka reaguar lidhur me zhvillimet që ndodhën sot në veri të Mitrovicës, gjatë një aksioni të policisë kundër kontrabandës.
Borrell ka shkruar se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrell.
Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të shumta të shqiptarëve në profilin e Borrell-it në Twitter.
Komentues të shumtë e kanë pyetur se përse duhet të dialogohet në Bruksel luftimi i krimit dhe korrupsionit.
Reagim ka pasur edhe nga Luan Dalipi shef i stafit të kryeministrit. Dalipi ka kërkuar nga Borrell që të mos e protretizoj dhunën e nxitur nga huliganët serb si problem ndëretnik, shkruan Telegrafi.
“I dashur z.Borrell, faleminderit për shqetësimin tuaj. Është e rëndësishme që të mos portretizohet dhuna fatkeqe e nxitur nga disa huliganë të orkestuar nga Beogradi si një problem ndëretnik midis qytetarëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë”, ka shkruar Dalipi.
Ai ka shtuar se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës ishte i drejtuar vetëm kundër krimit dhe kontrabandës në katër komuna kosovare, njëra prej të cilave ndodhet në pjesën veriore të Kosovës. Dalipi ka theksuar se krimi dhe kontrabanda nuk kanë etni.
“Për çfarë po flet!? Policia e Kosovës po lufton krimin dhe korrupsionin në territorin tonë. Unë mendoj se ju jeni kundër njerëzve të korruptuar, apo jo? Ose, ndoshta jam gabim. Ju duhet të pajtoheni me këtë veprim sepse si shtet ne po luftojmë kundër aktiviteteve kriminale”, i ka komentuar një komentues.
Një koment tjetër i cili është shprehur kundër deklaratës së Borrellit ka ardhur nga Kastriot Mehmeti.
“Kosova është e pavarur, për çfarë koordinimi me kë po flisni? Krimi në veri të Kosovës dhe problemet e brendshme nuk janë çështje të hapura për të diskutuar me Serbinë”, i është përgjigjur Mehmeti, shefit të diplomacisë të BE-së.
Një tjetër komentues, Faruk Krasniqi i është drejtuar me “Duhesh të ndalosh së mbështeturi krimin”
Agon Hyseni ka pyetur se “Kontrabanda duhet të negociohet? Vërtet BE? Vërtet, Vërtet?”.
Ndryshe gjatë aksionit të sotëm në veri, policia është sulmuar nga serbët lokalë me gur, shok bomba, gaz lotsjellës e mjete të tjera.
Si rezultat i kësaj 6 pjesëtarë të policisë janë lënduar kurse janë arrestuar 8 persona.