Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar sot se marrëveshja e arritur në Ohër konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë
Ai ka potencuar se do ta shohin nga afër zbatimin e marrëveshjes, për të cilën janë pajtuar Kosova dhe Serbia.
“Kishim diskutime të gjata, dhe më në fund kemi një marrëveshje, e cila do të konsiderohet si pjesë integrale e rrugës evropiane për të dyja vendet. BE-ja do të jetë pjesë e kapitujve të negociatave me Serbinë, kapitulli 35, dhe do të përfshihet në dokumentet e normalizimit dhe kërkesat për Kosovën. Pra, tani është diçka përpiluese dhe ne do të duhet të shikojmë nga afër zbatimin, të dyja palët ranë dakord dhe u angazhuan për ta bërë atë. Pra, le të shikojmë me kujdes se si do të ndodhë.”, ka thënë Borrell.
Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë