Borrell: Marrëveshja krijon status-quo të re në dialog, Asociacioni urgjencë


Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, në konferencë për media pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, ka folur ndër të tjera edhe për dakordimin e arritur të shtunën në Ohër për aneksin e implementimit të Marrëveshjes Bazë për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Borrell ka thënë se është arritje e madhe kjo marrëveshje. Ai tha se krijon një status-quo të re. 

“I kam njoftuar ministrat për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë. Është arritje e madhe në procesin e normalizimit mes tyre. Krijon një status-quo të re në dialog. Më nuk do të jemi në gjendje të menaxhimit të krizave, shpresoj së paku, por në implementim të marrëveshjeve të arritura më 27 shkurt. Këto marrëveshje kanë hyrë në fuqi me deklaratën që e lëshova. Nuk kishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por të dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit”, ka thënë Borrell.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje është përfshirë në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne do të përcjellim implementimin e marrëveshjeve. Shtetet anëtare e kanë shprehur përkrahjen”, tha Borrell.

Borrell i pyetur për deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk do të plotësojë ato provizione që “cenojnë interesat kombëtare”, ka thënë se të gjitha obligimet duhet të përmbushen.

“Marrëveshjet duhet të përmbushen, me një kalendar të caktuar. Kalendari kërkon që secila palë të bëjë pjesën e vetë. Nuk fillon të ndërtosh shtëpi nga kulmi, por nga gjërat më urgjente. Gjërat më urgjente fillimisht, disa janë shumë urgjente. E thash shumë qartë në aneks, thuhet se Kosova është e përkushtuar që menjëherë të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka disa përkushtime që do të monitorojmë nga afër se si palët i plotësojnë. Gjitha janë pjesë integrale e asaj që është arritur.