E ka përfunduar garën në Lojërat Olimpike edhe boksierja Donjeta Sadiku. Ajo ka garuar të martën në “Kukugikan Arena” në Tokio dhe ka humbur që në meçin e parë.
Donjeta nuk kishte fat në short, duke u përballur me britaniken e re dhe të nivelit të lartë, Caroline Dubois. Dubois ka dominuar plotësisht në ring dhe ka fituar me rezultatin 5:0. Meçi i ka takuar kategorisë deri 60 kilogramë.
Donjeta mori pjesë në Lojërat Olimpike me ftesë. Ajo nuk ishte lejuar të marr pjesë në disa ngjarje të mëdha, duke u diskriminuar. Dhe kjo besohet të ketë ndikuar që të marr ftesë.
Donjeta Sadiku ka pasur suksese të mëdha në kategori të reja, duke u shpallur edhe kampione evropiane. 22-vjeçarja është në kërkim të rezultateve te të rriturat, të cilat deri më tani i kanë munguar. Për shkak të një lëndimi të dorës, Donjeta nuk ka pasur përgatitjet më të mira para Tokio 2020.
Prej ekipit të Kosovës kanë mbetur të garojnë edhe notari Olt Kondirolli, xhudistja Loriana Kuka, atleti Musa Hajdari dhe mundësi Egzon Shala.