Bojkoti i marketeve u përkrah virtualisht e pak u aplikua në praktikë

Edhe të dielën do të vazhdojë bojkotimi i marketeve, në shenjë proteste kundër abuzimit me çmimet. Iniciativa e përhapur në gjithë rajonin, është mbështetur gjerësisht në Kosovë, por jo shumë e kanë aplikuar në praktikë.
Iniciativa e bojkotit të marketeve shkaku i çmimeve të larta, është mbështetur gjerësisht në rrjete sociale nga qytetarët, por në praktikë, nuk është aplikuar në masë.

Në Gjilan u ankuan për çmimet e larta të produkteve esenciale, e për paga të ulëta.

“Ia kemi nisur bojkotit shkaku i shtrenjtimit të produkteve esenciale. Vitin e kaluar e kam marrë litrin e vajit 1 euro e 12 cent, tash 1 euro e 60 cent. A të thashë që 35 për qind është shtrenjtuar. Kjo është për t’u habitur”, ka thënë Zymer Mehmeti, një nga qytetarët.

Të njëjtën mbështetje nismës i ka dhënë edhe Visar Ismaili.

“Kostoja është shumë e lartë për kuletën tonë si qytetarë të Kosovës. Do t’i bojkotojmë. Interesi ynë është t’i marrim produktet me çmime sa më të lira”, ka thënë ai.

Nisma për bojkotimin e marketeve shkaku i abuzimit me çmime, nisi fillimisht në Kroaci muajin e shkuar dhe është përhapur në të gjitha vendet e rajonit, përjashtimisht Shqipërisë. Në Kosovë, ajo nisi të hënën, një ditë pas zgjedhjeve nacionale.

Xhavit Kastrati është një nga organizatorët e iniciativës dhe thotë se bojkoti nuk është aplikuar në praktikë në masë të madhe, ani se është përkrahur gjerësisht në rrjete sociale.

“Për më pak se dy javë, ne kemi marrë gati 8000 anëtarë në grupin tonë në Facebook. Në Instagram, vetëm një postim për thirrjen tonë për bojkot e kanë shpërndarë rreth 4000 persona. Kështu që, interesimi ekziston, interesimi është shumë i lartë prej qytetarëve. Ndoshta nuk kemi arritur ta shpërndajmë lajmin te të gjithë qytetarët, edhe për këtë arsye po shohim që bojkoti nuk po respektohet ndoshta 100 për qind. Mirëpo, ne do të ofrojmë mundësi të tjera të informimit të publikut”, ka thënë Kastrati.

Bojkoti do të vazhdojë edhe të dielën.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, fushata ndikoi në uljen e blerjeve më 10 shkurt. Krahasuar me datën e njëjtë të muajit të shkuar, është evidentuar rënie e qarkullimit te bizneset, në vlerë mbi 100 mijë euro.

Ekonomisti Fidan Qerimi thekson se, për shkak të tregut të lirë në Kosovë, Qeveria nuk ka mundësi të ndikojë në çmime.

“Në tregun që e kemi ne, treg i lirë, Qeveria nuk është që ka shumë mekanizma në ndikimin e përcaktimit të çmimit. Ka pasur një iniciativë prej Qeverisë me të cilën ka tentuar të krijojë një tavan të disa çmimeve të produkteve esenciale, por që ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Qerimi.

Një projektligj për çmimet tavan të produkteve esenciale është miratuar në vitin 2022 nga Kuvendi, por është shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.