Kosova është aktualisht vendi me mesatarisht më shumë vdekje në botë nga koronavirusi.
Shteti ballkanik, ku më shumë se gjysma e 1.8 milionë popullsisë është nën moshën 25 vjeçare, ka regjistruar 54.2 viktima për 1 milion banorë që rezultuan pozitivë nga COVID-19 gjatë javës së kaluar – pak përpara Kolumbisë, e cila është në vendin e dytë.
“Që prej shkëputjes nga Serbia pas një lufte të përgjakshme, Kosova mbetet një nga shtetet më të varfra të Europës, e varur nga dërgesat e parave të qytetarëve që janë larguar në vende më të pasura të kontinentit. Korrupsioni, ndërkohë, ka mbajtur mbrapa zhvillimin e sistemit shëndetësor. Politika, megjithatë, duket se ka qenë faktori kryesor kontribues – siç ka në shumë pjesë të globit, ku kundërpërgjigjet ndaj virusit u provua se mungojnë”, shkruan mediumi prestigjioz amerikan.
“Në kulmin e pandemisë, Kosova rrëzoi qeverinë e saj dhe shkarkoi ministrin e Shëndetësisë dhe njerëzit kryesorë për menaxhimin e këtij sektori”, tha për Bloomberg Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Institutin Shqiptar për Studime Politike në Tiranë.
“Kosova ishte i vetmi vend në rajon që dështoi të zbatojë masa të shpejta, të jashtëzakonshme për të kufizuar përhapjen e pandemisë”.
Rastet e reja ditore nga 140-160 mund të jenë një “rrafshnaltë”, sipas Sergei Koryak, zyrtari ndërlidhës i Organizatës Botërore të Shëndetit në Kosovë. Por OBSH po punon për të rritur kapacitetin e testimit nga rreth 500 në ditë, nga frika se të dhënat zyrtare madje mund të jenë më shumë nga ato që po llogariten.
“Laboratorët po testojnë vetëm pacientë me simptoma, me temperaturë të lartë”, tha Koryak me telefon.
“Pra, potencialisht disa raste që kanë simptoma të lehta mund të mos jenë shënuar”.