Njësia A5 e Termocentralit Kosova A të KEK-ut, e cila u rikthye në funksion më 6 maj të këtij viti, është sërish jashtë operimit.
Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Skender Bucolli, për klankosova.tv ka bërë të ditur se deri më tani kjo njësi ka qenë në fazë testuese dhe se pritet që të kthehet në operim së shpejti.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se njësia A5, pas remontit kapital, ka hyrë në operim më datë 06.05.2023 dhe ka qenë në fazë testuese. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar të gjitha vërejtjet të cilat jemi në fazën e eliminimit dhe njësia pritet të kthehet në operim së shpejti”, deklaroi ai për Klanin.
Sipas Bucollit, pas remonteve kapitale janë të planifikuara dhe të nevojshme ndaljet për eliminimin e vërejtjeve për operim të sigurt të njësisë përkatëse.
Kujtojmë se për rikthimin e këtij blloku, ministrja Rizvanolli pati shkruar në llogarinë e saj në Facebook, duke e konsideruar këtë si një dhuratë për ditëlindjen e saj.
“Punonjësit e Kosovës A më dhanë dhuratën më të mirë për ditëlindje: rikthimi i njësisë A5 në operim. Së bashku me menaxhmentin dhe punonjësit, festova ditëlindjen dhe rikthimin e njësisë në termocentralin Kosova A”, shkroi Rizvanolli në Facebook më 7 maj.
Me këtë rast, ajo falënderoi punonjësit e KEK-ut për “punën me përkushtim për rikthimin e bllokut A5”.