Bllokohen të gjitha mallrat serbe të hyjnë në Kosovë


Qeveria e Kosovës ka vendosur që mallrat nga Serbia të mos lejohen që të hyjë në Kosovë.

Pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga policia e Serbisë, sipas burimeve të Dukagjinit janë bllokuar të gjitha mallrat serbe të hyjnë në Kosovë.

Ndryshe, Policia e Kosovës gjatë ditës ka bërë të ditur se tre zyrtarët e saj policorë dyshohet të jenë kidnapuar në territorin e Kosovës në veri të vendit, përkatësisht në komunën e Leposaviqit.

Po ashtu, në lidhje me kidnapimin e tyre ka reaguar edhe kryeministri Kurti, i cili ka kërkuar ndihmë nga ndërkombëtarët që ata të lirohen menjëherë.

Sipas tij, kjo është hakmarrje nga ana e Serbisë ndaj arrestimit të djeshëm të serbit me nofkën “Llune”.

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, ka thënë Kurti.

Sot në orën pesë, Policia e Kosovës, ka paralajmëruar një konferencë për media për të dhënë më shumë detaje në lidhje me rastin.