Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken i cili ka theksuar se SHBA-të e mirëpresin dhe e mbështesin këtë marrëveshje.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja që Kosova dhe Serbia arritën dje. Ne jemi krenarë që mbështesim marrëveshjen dhe mbetemi të përkushtuar për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar Blinken.
Sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken kjo marrëveshje është hap kyç drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ne përgëzojmë Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës për lidershipin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje”, tha Blinken.
“Përmbushja e detyrimeve të Kosovës dhe Serbisë sipas Marrëveshjes Themelore, si pjesë e përkushtimit të qëndrueshëm për pajtim, do të sigurojë mundësi të rëndësishme për njerëzit e të dy vendeve dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Sipas një artikulli të publikuar nga korrespodentja e Shtëpisë së Bardhë, Ksenija Pavlovic McAteer, Blinken citohet të ketë deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në funksionimin e zbatimit drejt një marrëdhënieje “të parashikueshme dhe paqësore”.
“SHBA do të vazhdojë të mbështesë avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Falënderojmë BE-në për lehtësimin e bisedimeve dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për pritjen e palëve dhe mbështetjen për finalizimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Blinken.