Blerand Stavileci: Qeveria Kurti e ka mbytur shpresën

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, deklaroi se Qeveria Kurti ua ka mbytur shpresën qytetarëve. Sipas tij, ato që LVV-ja i ka propaganduar, nuk po i realizon.

Ai tha në “Sonte Java me Rronin” të mërkurën, se Qeveria po jep tenderë njëburimor, e totali i tyre sipas tij është në vlerë prej 5 milionë eurove.

“Deri më 21 mars, për tri javë, futu tek E-prokurimi, do t’i shohësh 28 tenderë, 24 janë njëburimor, në vlerë prej 5 milionë eurove. Nuk dua ta bëj asnjë referencë për të kaluarën. Qeveria Kurti po e mbyt shpresën. Ajo aq shumë foli mbi premisën ‘Ferri janë të tjerët’, saqë nuk po i lë hapësirë vetes”, tha Stavileci.

Sipas zyrtarit të PDK-së, një pjesë e madhe e qytetarëve duan të largohen nga Kosova. Ai theksoi se PDK-ja është krenare për të arriturat, por edhe e vetëdijshme për gabimet, derisa tha se “qytetarët na kanë ndëshkuar me votë dhe mirë na e kanë bërë”.

“Ata po ia bëjnë kurthin vetvetes. Kanë gabuar. Ata kanë pasur mundësinë të jenë shembull i punës së mirë. Nuk po jepet asnjë shenjë që duan të bëhen shembull. Çmimi i naftës në bursë bie, te ne rritet 1.69 euro”.

Stavileci deklaroi se opozita i ka ofruar Qeverisë mbështetje në temën e dialogut me Serbinë, por që siç tha ai, pushteti nuk ka qenë i interesuar për këtë.

“Me këto 90 milionë që i janë ofruar KEDS-it nuk është ekzekutuar asgjë. Kjo me energjinë dhe ajo me tenderët njëburimor janë alarme. Unë s’po ju them as të korruptuar, por kjo është një gjë shumë e keqe që po iu ndodhë”.