Prokuroria Themelore në Prishtinë, në një konferencë për media ka shpalosur detaje lidhur me rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti bëri të ditur se pas hetimeve të kryera ka rezultuar se Bedri Rexhepi është vrarë nga dy persona për shkak të përftimit material, gjegjësisht shumës prej 30 mijë eurove.
“Dje kam informuar familjarët e viktimës se nga të gjeturat antropologjike mjekoligjore ku bënë pjesë përcaktimi i profilit biologjik, është vërtetuar identiteti i viktimës. Prandaj pas hetimit dhe sigurimit të të gjitha provave kam ngritur aktakuzë Jeton dhe Nexhat Vallasaliu në drejtim të veprës penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtim i varreve apo kufomave”, ka thënë Hamiti, transmeton Telegrafi.
Ai shtoi se motivi i vrasjes ishte i ultë.
“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale është i ultë. Pas hetimit rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30 mijë euro për të cilët të akuzuarit kanë besuar që i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon për çka kanë bërë edhe planin për ta ekzekutuar”, tha Hamiti.
Prokurori Hamiti më tej ka shpalosur një historik të shkurtë të zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi, dhe për veprimet hetimore që ka ndërmarrë Prokuroria.
Ai ka shtuar se menjëherë janë filluar hetimet intensive për zbulimin e këtij rasti.
“Fillimisht është filluar me njësitin K-9 të policisë të shikohet pjesa ku është fjetur vetura mirëpo nuk ka pasur ndonjë rezultat, më pas kanë filluar hetimet të orientohen ka Novobërda me njësitet e kërkim shpëtimit, ku përveç policisë dhe FSK-së është angazhuar dhe KFOR-i… Hetimet nuk kanë ndaluar prej asaj kohe. Mund tju them se për shkak të ndjeshmërisë së rastit kemi tentuar që të jemi sa më konfident në mënyrë që zbulohet rasti”, tha prokurori Hamiti.
Prokurori përmendi edhe disa prej metodave të hetimeve që kanë përdorur.
“Kemi bërë ekzaminim të telefonit të pandehurve, janë siguruar të gjitha kamerat ku ka pasur lëvizje të viktimës dhe të pandehurve në ditën kritike dhe ditët në vijim. Kemi zbatuar masa të fshehta të hetimit të cilat në fund na kanë ndihmuar në identifikimin e vendit ku është gjetur turpi dhe zbardhjen e këtij rasti. Gjatë kësaj kohe shtator 2022 kemi dalë në teren edhe me të pandehurit për gjetjen e turpit të viktimës. Dy daljet në teren me të pandehurit nuk kanë rezultuar të suksesshme, në daljen e tretë identifikimin e vendit ku është gjetur trupi i viktimës e kemi bërë vetë pa praninë e të pandehurve”, ka thënë Hamiti.
Prokurori ka shtuar se së shpejti pritet të nis edhe procesi gjyqësor ndaj dy të akuzuarve lidhur me këtë rast. /Telegrafi/