Një biznes në Prishtinë nuk do të rrisë pagën e punëtoreve në mënyrë që punëtorët e tij të përfitojnë shtesën prej 50 euro nga Qeveria.
Pronari i kësaj kafiterie ka thënë për SHQIP.com se këtë rritje nuk mund ta përballojë, pasi ai vetë është në krizë financiare.
“Është biznes i vogël që unë mundem me mbajt vetëm me gruan edhe dy djemtë e mi. I kam dy punëtorë, por që njërin është dashtë më largu. Puna ka ra shumë se çmimet janë rrite. Jam duke i mbajt këta dy pasi djemtë nuk mundem më se fillon viti shkollor. Krizë kemi edhe ne.”.
Sipas tij , Qeveria nuk është dashur që të vendosë një kushtëzim të tillë.
“Jo një rritje nuk mundem me rritë rrogën këta e dinë. Qeveria është dashtë mos me i kushtëzua bizneset, pandemia na ka dëmtuar shumë. Edhe mërgimtarë nuk ka ma s’di a vinë 10-15 veta në ndërrim këtu”.
Azemi: Qeveria e ka vendosur këtë kushtëzim pasi e ka ditë që pronarët nuk i rritin pagat
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se Qeveria e ka ditur që pronarët nuk e bëjnë këtë rritje, prandaj edhe kanë vendosur këtë kushtëzim.
“Me këtë kushtëzim që ka vendosur Kurti vetëm se na ka dëmtuar edhe më shumë neve. Nuk jemi duke lyp as më pak as më shumë vetëm atë që është premtuar. Ky vendim që ka marrë është shumë qesharak, lypës që në një formë i detyron punëtorët që të kërkojnë lëmoshë nga pronari pastaj nga Qeveria. Qeveria ka kushtëzuar sepse e ka ditur se pronarët e kompanive nuk do të bëjnë një rritje të tillë”, tha ai për SHQIP.com.
Ai ka thënë se nëse nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria nga data 20 shtator do të hynë në grevë.
“Jemi duke e pritur reagimin e Qeverisë së Kosovës dhe nëse nuk e largon kushtëzimin lidhur me dhënë e 50 për qind të asaj shtesë kompanive do të këtë veprime tjera. Jemi duke e parë si kushtëzim të qëllimshëm për të mos u realizuar ky objektiv. Ne jemi duke pranuar që t’i humbin 50 euro por së paku t’i kemi 50 euro të Qeverisë të sigurta. Në rast se nuk largohet ky kushtëzim ne bashkë me kompanitë publiko private nga data 20 shtatore do të hymë në grevë”.
Kryeministri, Albin Kurti javën e kaluar ka prezantuar pakon e re financiare.
Kurti tha se nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë, ndërsa do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike.
“Për pensionistët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro, kurse familjet me asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj. Punësimin e punëtorët i kemi prioritet dhe do të vazhdojmë t’i përkrahim kësisoj. Për zyrtarët publik do të ndajmë shtesën prej 50 euro duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët ndërmarrjet publike do të ndajmë shumën prej 100 euro”, tha më tej ai.
Më tej, shefi i ekzekutivit të Qeverisë u zotua se do të mbështesin bizneset që rrisin pagat e punëtorëve, teksa theksoi se për studentët pritet që të ndahen edhe nga 100 euro.
“Do të mbështesim secilin biznes që i rrit pagat e punëtoreve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës për punëtorë maksimumi 100 euro për tre muajt e parë. Përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentet për të cilët do të ndajmë shumën prej 100 euro në muajin nëntor”, deklaroi Kurti.
Kujtojmë, se nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Ndërsa, lidhur me këtë çështje qeveria ka ofruar nga 50 euro për 3 muaj. Shumë kjo e cila u refuzua nga grevistët.