Ekipi i ri hulumtues i kriptomonedhës në kompaninë britanike të shërbimeve bankare “Standard Chartered” parashikon rritje të madhe të vlerës së Bitcoin.
Siç transmetohet nga mediat ndërkombëtare, ata parashikojnë që vlera e bitcoin do të dyfishohet dhe mund të arrijë në 100,000 në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, si dhe se në planin afatgjatë mund të shkon deri në shifrat prej 175,000 dollarëve.
Kompania gjithashtu iu referua Etherumit, kriptomonedhës së dytë më të njohur, duke vlerësuar se mund të rritet në nga 26,000 deri në 35,000 dollarë. Sidoqoftë, që Etherum të arrijë këtë çmim, Bitcoin do të duhej të afrohej në 175,000 dollarë.
“Si një mjet këmbimi, Bitcoin mund të bëhet metoda dominuese e pagesës ‘peer-to-peer’ në botën e ardhshme pa para”, kanë thënë anëtarët e ekipit të analistëve të udhëhequr nga Geoffrey Kendrick, raporton Reuters.
“Në mënyrë ciklike, ne presim një kulm prej rreth 100,000 dollarë në fund të vitit 2021 ose në fillim të vitit 2022”, citohen të kenë thënë ekspertët britanik.
Në kohën e përgatitjes së këtij artikulli, Bitcoin ka vlerë prej 44,096 dollarë.