Nënkryetari i PDK-së për rini, Donjet Bislimi, ka cekur se meqë Qeveria në ikje ka shpallur reciprocitetin me Serbinë, ai i bën thirrje qeverisë së shkarkuar që reciprocitetin ta zbatojë edhe në fushën e shëndetësisë, duke dërguar mjekë e infermierë në Luginën e Preshevës.
Ai, ka shkruar po ashtu se vetë do të paraqitej i pari nëse kjo qeveri bën thirrje dhe organizon që të dërgohen vullnetarë të shëndetësisë, mjekë apo infermierë, për t’iu ardhur në ndihmë bashkëkombasve tanë në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë.
“Qeveria në ikje e Kosovës, ditëve të fundit ka dorëzuar autoritetin shtetëror tek Serbia për një pjesë të territorit dhe popullsisë së Kosovës, duke lejuar futjen dhe veprimin në vendin tonë të qindra mjekëve, infermierëve e stafeve shoqërues serbe të dërguar prej Beogradit. Po ashtu para pak ditësh ka hequr taksën dhe shpallur reciprocitetin me shtetin e Serbisë. Meqenëse ka shpallur reciprocitetin me Serbinë, unë i bëj thirrje qeverisë së shkarkuar që reciprocitetin ta zbatojë së paku edhe në fushën e shëndetësisë duke dërguar mjekë e infermierë në Luginën e Preshevës”.
“I bëj thirrje qeverisë në ikje që të mendoj për shqiptarët e Luginës, të cilët sikurse janë gjithmonë të diskriminuar, as në kohë të pandemisë nuk po e kanë kujdesin e duhur nga institucionet e atjeshme të Beogradit. Këtë thirrje nuk e bëj thjesht si nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës për rininë por si patriot shqiptar dhe mjek i sapo diplomuar. Unë vetë kam për t’u paraqitur i pari nëse kjo qeveri bën thirrje dhe organizon që të dërgohen vullnetarë të shëndetësisë, mjekë apo infermierë, për t’iu ardhur në ndihmë bashkëkombasve tanë në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë”, ka shkruar Donjet Bislimi.