Ka kaluar një vit që nga marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë.
Rreth kësaj ka reaguar edhe zëvendëskryeminsitri i Kosovës, Besnik Bislimi, shkruan lajmi.net.
“Ende pa zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit”, ka thënë Bislimi përmes një postimi.
“Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen”, ka shtuar më tutje ai.
Më tutje, Bislimi ceku edhe datat e tjera, kur Serbisë iu ofrua publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por që u refuzua.
“Me 27 shkurt në Bruksel, me 18 mars në Ohër, me 14 shtator në Bruksel, me 26 tetor në Bruksel, me 8 shkurt në New York, plot pesë herë u ofrua dhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por u refuzua. Përtej kësaj, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues”, vazhdoi ai.
Bislimi shtoi se përgjatë këtij viti u sulmuan institucionet tona, u rrëmbyen tre zyrtarë policor dhe u sulmua pjesa veriore e shtetit, me rastin e 24 shtatorit në Banjskë.
“… deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq në dhjetor”, tha më tutje Bislimi duke treguar se Serbia vazhdon të refuzoj nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit.
Pëndryshe ai tha se Kosova vazhdon të qëndroj e angazhuar në këtë rrugëtim.
“Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve” ka shtuar Bislimi.