Bislimi, PDK: vdekja e Agonit është kronikë e një vdekje të paralajmëruar, Vitia ka përgjegjësi

Donjet Bislimi, nënkryetari i PDK-së për rini dhe njëherazi mjek me profesion, ka bërë një postim në Facebook ku deklaron se Ministri Vitia ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë ligjore, politike dhe morale për vdekjen e bashkëmoshatarit të tij Agon Musliut. Sipas tij është shteti ai që ia ka kufizuar lirinë e lëvizjes duke e futur në karantinë dhe është po ashtu shteti që ka përgjegjësi për mos përkujdesjen ndaj tij.

Bislimi kujton se në 25 mars kishte ngritur alarmin për dështimin e menaxhimit të karantinës sepse njerëzit me lidhje politike ose në mënyrë korruptive po lejoheshin që të largoheshin para kohe nga karantina ose po e shmangnin e nuk po futeshin fare në karantinë. Prandaj thekson ai “ Vetëvrasja e Agonit është pasojë fatale menaxhimit të paaftë dhe papërgjegjshëm të karantinës të ministrit në ikje të Vetëvendosjes”.

Postimin e tij të plotë në facebook e gjeni më poshtë:

Vdekja tragjike e bashkëmoshatarit tim Agon Musliut në karantinë është kronikë e një vdekje te paralajmëruar. Agonit ia ka kufizuar lirinë e lëvizjes shteti i cili është përgjegjësi drejtpërdrejtë edhe për mungesën e përkujdesjes ndaj tij. Në 25 mars kam paralajmëruar se karantina është duke dështuar duke patur parasysh se mediat kishin nxjerrë evidenca që njerëizt po dilnin paligjshëm fshehurazi nga karantina ose që shumë të riatdhesuar as që po futeshin në karantinë.Vetëvrasja e Agonit është pasojë fatale menaxhimit të paaftë dhe papërgjegjshëm të karantinës të ministrit në ikje të Vetëvendosjes,  si dhe të trajtimit të pabarabartë  që ministria e tij i ka bërë qytetarëve. 

Karantina në Qendrën Studentore është vendosur e administrohej nga Ministria e Shëndetësisë. Prandaj ministri i shkarkuar Vitia ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë ligjore, politike edhe morale. Shumë qytetarë  të karantinuar janë lejuar të arratisur pa iu përmbushur  koha e inkubacionit. Largimi nga karantina e  përbën një shkelje të rëndë ligjore sepse sipas nenit 33.2 “Kohëzgjatja e mbajtjes së personave nga në karantinë varet nga periudha maksimale e inkubacionit të sëmundjes përkatëse.   Po ashtu neglizhenca apo moskujdesja për qytetarët në karantinë përbën gjithashtu një shkelje të rëndë, sidomos kur pasoja është vdekja. Prokuroria duhet të hetojë se si militantë partiakë lejohen të dalin apo nuk futen fare në karantinë ndërsa një qytetar i pambrojtur e pa lidhje politike por me probleme shëndetësore është detyruar të qëndrojë brenda në karantinë.