Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se më 7 e 8 shtator i ka pasur 5 takime në Bruksel.
Ai ka thënë se të martën kanë qenë tri takime prej të cilave takimi i parë ishte me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajcakun, një takim tjetër për implementimin e marrëveshjes për energjinë dhe targat e veturave, dhe takimi i tretë për të pagjeturit.
Ai ka thënë se të mërkurën ka pasur 2 takime, një me Lajcakun dhe një tjetër me Lajcak dhe drejtorin e të ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeveri të Serbisë, Petar Petkoviq.
“Në këtë takim është diskutuar për çështjen e të pagjeturve. Në takimin bilateral ku është diskutuar për çështjet e energjisë ne kemi bërë të qartë se mandati i BE-së është që krahas ndërmjetësimit të gjetjes së një zgjidhje të pranueshme mes Kosovës dhe Serbisë, është edhe mandati për implementimin e marrëveshjeve të deritanishme. Çështja që është trajtuar më së shumti ka pasur të bëjë me licencimin e operatorit ‘Elektroserver’. Në takimin ku është diskutuar për targa ne kemi deklaruar që afati përfundon në shtator të vitit 2021 dhe nuk shohim arsye për zgjatjen e marrëveshjes. Përdorimi i targave KS ka filluar me marrëveshjen e vitit 2011 dhe gjatë implementimit palët kanë devijuar dhe kanë dashur ta imponojnë si marrëveshje të përhershme”, tha Bislimi në konferencë për media.
Ai ka thënë se sa i përket çështjes së vizitave të zyrtarëve përkatësisht me moslejimin e Petkoviqit në Kosovë ne kemi argumentuar që ai në vazhdimësi ka tejkaluar agjendat lajmëruara dhe ka përdorur gjuhë provokuese.
Bislimi, ka thënë se e kanë evidentuar si problem kyç mosgatishmërinë e palës serbe që të mos i hap arkivat ushtarake që kanë të bëjnë me divizionin për Kosovën dhe në të njëjtën kohë joseriozitetin e Serbisë kur kërkon gërmime në Kosovë.
Ai ka thënë se në takimin trilateral janë njoftuar se nga lokacionet në Kizhevak, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Beograd ka arritur t’i identifikojë emrat e shtatë personave të gjetur, ndërkohë ka informacione se edhe në Bogë të Kosovës janë identifikuar dy persona.
“Kemi diskutuar për gjetjen e modaliteteve për të arritur sa më shpejtë të familjarët e tyre. Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, që sipas tyre nënkupton që të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK dhe kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive mund të gjenden në arkivat ushtarake të Serbisë”, ka thënë ai.