Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për punë të jashtme dhe diasporë, ka numëruar pesë “siguresa” që, sipas tij, do të jenë të mjaftueshme të tregojnë se “vetëmenaxhimi i serbëve” nuk ka lidhje me “Zajednicën”.
Bislimi ka thënë se janë pesë kritere të cilat janë vendosur në Bruksel për të parë nëse është i pranueshëm drafti për Asociacionin.
“Kompetencat e mekanizmit për ushtrimin e vetëmenaxhimit të drejtave të komuniteti serb, ka dakordim të plotë në Bruksel që do jenë 5 kritere përmes të cilave do të shihet a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti që propozon ekipi menaxhues. E para është a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, nëse parasheh shtresë të re të qeverisjes nuk konsiderohet si i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. Dy, a propozon të drejta kolektive, nëse po e merr epitetin e një drafti të papranueshëm. Tre, në ç’masë është në harmoni me marrëveshjet e 2015-s dhe 2013-s. Katër, në ç’masë është në harmoni me vendimin e Kushtetueses së vitit 2015 dhe pesë në ç’masë është në harmoni me letrën që Mogherini i ka dërguar Qeverisë së Kosovës ku i tregon çfarë kompetenca mund të jetë e çfarë jo asociacioni për implementim”, ka thënë ai.
Bislimi këto pesë kritere i ka quajtur siguresa të mjaftueshme që vetëmenaxhimi nuk ka lidhje me “Zajednicën”.
“Për mua janë pesë siguresa të mjaftueshme që ky lloj i vetëmenaxhimit nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur ‘Zajednicë’”.