Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka thënë se kthimi i sotëm i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dëshmon se largimi i tyre ka qenë pjesë e strategjisë së Beogradit dhe është demaskim i lojërave të Serbisë para komunitetit ndërkombëtar, por edhe vetë qytetarëve serbë, të cilët e kanë votuar këtë subjekt politik.
“Për mua kthimi i Listës Serbe sot në Kuvend apo zëvendësimi i ulëseve nga vet ata, është demonstrim i qartë i argumentit tonë se largimi i tyre nuk ka pasur kurrfarë baze pakënaqësie eventuale por ka qenë pjesë e strategjisë së Beogradit”.
“Nga momenti i largimit deri në momentin e kthimit nuk ka ndodhë kurrfarë ndryshimi. Rrjedhimisht, siç e kanë thënë vet ata, kjo është pjesë e strategjisë së tyre, pra po tregojnë se janë duke ndërtuar strategji për të dobësuar funksionalizimin e institucioneve tona”, ka thënë Bislimi në RTK.
Sipas Bislimit ky “është demaskim edhe para komunitetit ndërkombëtar, edhe pse ata shumica e dinë se këto janë lojëra të ndyta politike të Beogradit, jo të Listës Serbe’.
“Mirëpo, ndoshta është pozitive që ky është demaskim edhe para vetë qytetarëve serbë që i kanë votuar. Mandati i deputetit kërkohet me një synim, që të promovohen e shtyhen përpara interesat e një grupi të caktuar. Lista Serbe ka shtyrë zero interesa. Me këtë i ka treguar qytetarëve se synimi im nuk është t’i shtyjë agjendat apo interesat tuaja por të pengojë agjendat e shtetit të Kosovës”, ka shtuar Bislimi.
Ai ka thënë se nuk mendon që pengimi i avancimit të zhvillimit të mëtejmë të Kosovës është interes i qytetarëve serbë.
“Lista Serbe paraprakisht i ka tradhtuar votuesit e vetë për të mundur të realizojë agjendën jomiqësore të Beogradit në Kosovë”, vijoi numri dy i ekzekutivit kosovar.