Në një postim në rrjetin social facebook, nënkryetari i PDK-së për rini, Donjet Bislimi ka thënë se një nga 100 dështimet kryesore të bëra në 100 ditët e qeverisjes Kurti, ka qenë e vazhdon të mbetet mungesa e testimeve për koronavirusin. Ai thotë se pavarësisht retorikës mashtruese, Kosova vazhdon të ketë një numër shumë të vogël testimesh dhe i krahason të dhënat me Serbinë e cila ka një numër testimesh për frymë 4.4 herë më të madhe se Kosova. Konkretisht ai tregon se Serbia ka bërë 162 797 teste ndërsa Kosova vetëm 10642 teste.
Në postimin e tij Bislimi i cili për nga profesioni është mjek, tregon se sot Sllovenia ka shpallur përfundimin e pandemisë. Sipas tij ky suksesi i atribuohet faktit që ky shtet ka bërë më së shumti testime në rajon me 32566 teste për milionë banorë. Prandaj nëse vazhdohet me kete tempo pandemia ka për të zgjatur më shumë, paraliza e karantinës ka për të vazhduar edhe më tutje, ekonomia ka për të kolapsuar dhe fatkeqësisht kemi për të humbur më shumë njerëz.
Postimi i plotë e Donjet Bislimit është si më poshtë:
Një nga 100 dështimet kryesore të bëra në 100 ditët e qeverisjes Kurti ka qenë e vazhdon të mbetet mungesa e testimeve. Madje për këtë në mënyrë të paturpshme gënjyen dhe pastaj u demantuan. Po të ishin treguar më racional, më pak inatqor, më të menqur dhe më bashkëpunues dhe duke dëgjuar sygjerimet tona për më shumë teste, pandemia në Kosovë do të ishte frenuar prej shumë kohësh.
Gjersa vendet tjera të cilat ishin dhe janë shembuj të menaxhimit adekuat, si rezultat i numrit të madh të testimeve dhe zbulimit në kohë reale të rasteve, sot janë në proces të rihapjes së ekonomive dhe kthimit në normalitet. Rëndësinë e numrit të madh të testimeve e ka theksuar vet udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe gjithë ekspertët e saj anë e mbanë botës. Mirëpo, udhëheqësi i gjithëdijshëm i partisë Vetëvendosje, Kurti, në intervistat e tij televizive ka dalë kundër tyre duke thënë se nuk na duhen testet.
Për më tepër, Kryeministri i shkarkuar Kurti shumë herë është krenuar për menaxhimin e pandemisë duke mashtruar qytetarin me fjalët ne jemi model për gjithë rajonin e Evropën. E vërteta është që Kosova fatkeqësisht ende po mban një nivel të ulët testimesh ditore ndërkohë që kanë kaluar dy muaj nga fillimi i pandemisë dhe ka pasur mjaftueshëm kohë për të blerë tamponë testesh nëpër botë. Sipas të dhënave më të fundit të IKSHPK-së, në Kosovë janë bërë 10 642 teste ose 5321 teste për milion banorë, ndërsa Serbia ka bërë deri dje 162 797 teste ose 23323 teste për milionë banorë ose 4.4 herë më shumë se Kosova kur llogaritet për frymë.
Në rajonin tonë shkëlqen Sllovenia e cila sot ka shpallur përfundimin e pandemisë. Çelës i suksesit të Sllovenisë, e cila ka përmasa të ngjashme me Kosovën, ka qenë padyshim numri i madh i testimeve, me një total prej 67701 testimesh deri dje që përllogaritet në 32566 teste për milionë banorë. Të dhënat janë të qarta e kuptimplota, dhe ripërisin fjalët e drejtorit të OBSH-së, test test test. Nëse vazhdohet me këtë tempo pandemia ka për të zgjatur më shumë, paraliza e karantinës ka për të vazhduar edhe më tutje, ekonomia ka për të kolapsuar dhe fatkeqësisht kemi për të humbur më shumë njerëz.