Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, i ka ftuar për një takim konsultues rreth “Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë” të gjithë ish-ministrat e Financave të Republikës së Kosovës si dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmetin.
Ai tha e sheh tejet të rëndësishme që në këtë fazë të dëshmojmë gatishmëri maksimale për bashkëpunim duke lënë anash cilindo mospajtim eventual politik a personal. Gjithashtu ka sugjeruar që ky takim të mbahet më 21 prill.
“Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme që të ulemi bashkë, dhe si bartës të pozicionit të njëjtë publik, por në periudha të ndryshme kohore, të diskutojmë për fokusin primar të pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë, kornizën monetare, organigramën implementuese dhe burimet e mundshme të financimit. E shoh si tejet të rëndësishme që në këtë fazë të dëshmojmë gatishmëri maksimale për bashkëpunim duke lënë anash cilindo mospajtim eventual politik a personal. Sugjeroj që takimin ta mbajmë ditën e martë, me 21 prill 2020, me fillim në ora 10 në sallën nr.38 në ndërtesën qendrore të Qeverisë”, thuhet në njoftimin e Bislimit në Facebook.