Bill Clinton shtrihet në spital

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, është shtrirë në spital në Washington të hënën pas telasheve me temperaturën.

78-vjeçari u hospitalizua pas testimeve, ka njoftuar Angel Urena, zëvendësshef i stafit të Clintonit, në një komunikatë për media.

“Mbetet në disponim të mirë dhe e vlerëson thellësisht kujdesin që po e merr”, ka deklaruar Urena.  

Clintoni, që si demokrat shërbeu në periudhën 1993-2001, në zgjedhjet e fundit i dha mbështetje Kamala Harrisit edhe në fushatë duke marrë pjesë në tubime.

Më 2004, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje në zemër pas dhimbjeve në gjoks dhe telasheve me frymëmarrjen. Edhe më 2005 ishte operuar pasi kishte kollapsuar. Më 2010 pati probleme sërish me zemrën. 

Ishte shtrirë në spital edhe më 2021, për shkak të një infeksioni që s’lidhej me COVID-19.

Ish-presidenti më pas iu kthye dietave dhe humbi peshë, duke përmirësuar shëndetin. 

Bill Clinton ka qenë president i SHBA-së në kohën e bombardimeve të NATO-s më 1999, në luftën në Kosovë.