Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se numri total i rasteve pozitive është 14.763 raste nga 59.033 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 601 raste të vdekjes.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 199 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 11.784 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.378.
Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj një ditë më parë deklaroi sot se situata epidemiologjike me koronavirus në Kosovë është e qëndrueshme, por tërhoqi vërejtjen për vazhdim të respektimit të masave mbrojtëse kundër përhapjes së kësaj sëmundjeje të rrezikshme që tashmë ka prekur pothuajse të gjithë botën.
Ai gjatë një takimi me drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, kryesuesin e bordit këshillëdhënës Lul Raka dhe Visar Berisha nga zyra e kryeministrit, ka thënë se puna për luftimin e COVID-19 duhet të vazhdojë pa u relaksuar.
“Lufta me COVID-19 vazhdon të jetë një prioritet i punëve tona të përditshme, por assesi kjo nuk nënkupton që duhet lënë anash projektet dhe punët tjera që kam parashikuar në mandatin tim e që kanë të bëjnë me rregullimin e sistemit shëndetësor publik si të qëndrueshëm, modern dhe funksional”, ka thënë Zemaj.