Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka dënuar sulmin e kryer tre persona ndaj imamit të xhamisë së fshatit Lupç i Poshtëm, Zeqir Berisha.
Në reagimin e BIK-ut thuhet se sulmi ndaj imamit është sulm edhe ndaj xhamisë dhe xhematit.
“Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar. Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës”, thuhet në reagim.
Tre persona rrahin hoxhën e xhamisë në Lupç të Poshtëm
“Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete”, thuhet në reagim.
Policia e Kosovës ka njoftuar sot se imami i xhamisë së fshati Lupç i Poshtëm të Podujevës, Zeqir Berisha, është rrahur mbrëmë nga tre persona, të cilët janë arrestuar.
“Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në fshatin Lupç i Poshtëm të Podujevës, është gjetur një person i lënduar rëndë”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.