Bashkësia Islame e Kosovës është deklaruar në lidhje me rastin e përleshjes fizike mes hoxhës, Osman Musliu e sekretarit të BIK-ut në Drenas, Eset Bajraktari.
Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu ka thënë se sekretari i tyre, Eset Bajraktari është sulmuar në vendin e punës nga hoxha, Osman Musliu.
Osmani e Bajraktari janë arrestuar nga nga Policia e Kosovës derisa të njëjtit janë liruar sot.
“Jemi në dijeni në lidhje me rastin, është arrestuar Osman Musliu dhe sekretari i BIK-ut në Drenas, Eset Bajraktari. Osmani ka shku e ka sulmu sekretarin e BIK-ut, Eset Bajraktarin në vendin e punës, kuptohet që pas sulmit edhe ai ka reaguar dhe rasti është lajmëru në Polici. Policia ka intervenuar dhe janë arrestu por sot janë liruar”, ka thënë Sadriu për Insajderin.
I pyetur se çfarë masash do të ndërmarr BIK-u në lidhje më këtë rast, Sadriu është shprehur se po presin një raport zyrtarë nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas, e më pas të merret ndonjë masë.
“Ne tani do ti ndjekim procedurat, po presim një raport zyrtar tani nga këshilli ynë në Drenas dhe pastaj do të procedojmë”, tha ai.
Në anën tjetër, avokati i hoxhës, Osman Musliu Gazmend Halilaj është shprehur se klienti i tij vetëm është vetëmbrojtur.
“Hoxha e ka pasur një ftesë dje është ndalu rreth orës 18:00 për veprën penale sulm, mirëpo pas verifikimit të informative gjendjes faktike me bërjen e një analize më të mirëfilltë nga ana e Prokurorit, dhe me kontributin e mbrojtjes është konstatuar se nuk ka asnjë bazë ligjore për të qëndruar hoxha në ndalim. Dhe Prokuroria e ka liruar menjëherë”, ka thënë Halilaj për Insajderin .
Sipas avokatit Halilaj, hoxha ka qenë në mes të një sulm të paprovokueshëm nga ana e tij dhe ka vepruar në vet-mbrojtje duke mos tejkaluar kufijtë për asnjë moment.
Rasti i rrahjes ka ndodhur një ditë më parë brenda objektit të BIK-ut në Drenas.