Bie eksporti, rritet importi

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2025, sipas të cilave deficit tregtar është më i lartë për 13,6%, krahasuar më shkurtin e vitit të kaluar. 

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar në vlerë prej 451,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 397,4 milionë euro që ishte në shkurt të vitit 2024. 
Sipas ASK-së eksporti e mbulon importin me vetëm 13%.

“Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2025 kishte vlerën 67,3 milionë euro, ndërsa importi 518,6 milionë euro, që është një rënie prej (-4,3%) për eksport, si dhe një rritje prej 10,9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6,2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 16,8% e përbëjnë produktet minerale; 11,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,6% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9,7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

ASK-ja ka paraqitur edhe të dhënat lidhur me eksportet dhe importet e Kosovës në vendet e BE-së.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 24,5 milionë euro, ose rreth 36,5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,1%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,7%), Holanda (3,6%), Italia (3,5), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 229,1 milion Euro, ose 44,2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5,4%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Italia (6,4%), Greqia (3,3%), etj”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Gjithashtu janë paraqitur edhe të dhënat për eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s.

“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28,9 milion Euro, ose 43,0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 1,2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (15,6%), Maqedonia e Veriut (15,0%), Serbia (5,7%), Mali i Zi (5,2%). Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 83,4 milion Euro, ose 16,1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9,0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (7,0%), Shqipëria (5,2%), Serbia (2,8%)”, thuhet në njoftim. 

ASK-ja ka paraqitur edhe të dhënat për eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e tjera të botës.

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 13,8 milion Euro, ose 20,5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,5%) dhe SHBA (2,5%). Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 206,1 milion Euro, ose 39,8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,5%) dhe Kina (9,9%)”, thuhet në njoftim.