Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar të enjten se SHBA-ja do të përgjigjet nëse presidenti rus, Vladimir Putin, përdor armë të shkatërrimit në masë.
Këtë deklaratë Biden e ka bërë në një konferencë për media, pas Samitit të NATO-s ku u diskutua për situatën në Ukrainë, raportoi CNN-i.
“Ne do të përgjigjemi nëse ai e përdor atë. Natyra e përgjigjes do të varet nga natyra e përdorimit”, ka thënë Biden.
Presidenti amerikan po ashtu ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpresuar se NATO-ja ishte e përçarë.
Bideni ka thënë se Putini ka llogaritur keq në vendimin e tij për ta pushtuar Ukrainën.
“Putini po mbështetej për ndarjen e NATO-s. Nga bisedat e mia me të ishte e qartë se ai nuk mendonte se mund ta mbante këtë kohezion. Putini po merr pikërisht të kundërtën e asaj që ai mendonte se do të merrte kur shkoi në Ukrainë. NATO nuk ka qenë kurrë më e bashkuar se sa është sot”, ka thënë Biden.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë më herët të enjten se aleanca do të përforcojë sistemet e saj të mbrojtjes kimike, biologjike dhe bërthamore nga frika se Rusia po planifikon të përdorë armë të tilla kundër popullit të Ukrainës.