Biden zgjedh Harrisin si kandidate për zëvendëspresidente

Senatorja Kamala Harris nga Kalifornia është përzgjedhur si kandidate për presidente krahas kandidatit të Partisë Demokratike për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

55-vjeçarja Harris bëhet afroamerikanja e parë në histori të SHBA-së në garë për këtë pozitë të lartë.

“Kam nderin e madh të njoftoj se kam zgjedhur për zëvendëspresidente Kamala Harrisin”, ka shkruar Biden në një postim në Twitter duke e quajtur “luftëtare të patrembur”.

Harris kishte nisur vetë garën për presidente para se t’i jepte fund kandidaturës për të përkrahur Bidenin. Sipas “Reutersit”, me Harrisin në krah, Bideni fiton një politikane me eksperiencë e të dëshmuar.

Harris, që u bë vetëm gruaja e dytë me ngjyrë pjesë e Senatit kur ishte zgjedhur më 2016, konsiderohet arsye shtesë që komuniteti afroamerikan të përkrahë Bidenin në garën me presidentin aktual, Donald Trump.

Edhe ish kandidatja për presidente nga radhët e Partisë Demokratike, Hillary Clinton, ka përgëzuar Bidenin për përzgjedhjen e Harrisit.

“Ajo ka dëshmuar veten si një shërbyese publike e mrekullueshme dhe si lidere. Dhe e di se do të jetë partnere e fortë për Joe Bidenin. Ju lutem mu bashkoni që ta përkrahim dhe të fitojë në zgjedhje”, ka shkruar ajo në postimin e saj në Facebook.