Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka nominuar ambasadorin e ri të SHBA’së në Kosovë, e cili do të jetë Jeff Hovenier.
Kjo është konfirmuar nga një komunikatë nga Shtepia e Bardhë në Uashington.
Nominimin e ambasadorit të ri e ka uruar edhe ambasadori aktual i SHBA’së në Kosovë, Philip S. Kosnett.
“Urime kolegut dhe mikut tim Jeff Hovenier për nominim e tij si Ambasadori i ardhshëm i SHBA në Kosovë”, ka shkruar Kosnett në Twitter.
Ambasadori i ri, Hovenier, aktualisht shërben si zëvendësshef i Ambasadës së SHBA’së në Turqi. Më parë si diplomat kishte punuar edhe në Berlinin e Gjermanisë, por edhe në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.
Hovenier e njeh mirë Kosovën sepse gjatë karrierës së tij diplomatike ishte pjesë e stafit të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara për Statutin e Kosovës.
Nga Uashingtoni kishte shërbyer si drejtor për Evropën Qëndrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, poashtu edhe në Byronë e Departamentit të Shtetit, për punët (çështjet) e Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO’n dhe Evropës Qendrore.
Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte dekoruar Hovenierin me Medaljen Presidenciale Jubilare të 10-vjetorit të Pavarësisë, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Familja ime dhe unë ndihemi shumë të nderuar. Ndryshimet pozitive në Kosovë janë mbresëlënëse. Unë gjithmonë do të jem një mik i Kosovës ”, ishte shprehur Hovenier.