Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, arriti për një vizitë të paparalajmëruar në Kiev.
Është ky udhëtimi i tij i parë në Ukrainë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e këtij vendi, gati një vit më parë.
Fotografitë e shpërndara në mediat sociale shfaqën presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke pritur homologun e tij amerikan në qendër të kryeqytetit Kiev.
Ndonëse paraprakisht u dëgjuan sirena paralajmëruese, nuk u raportua për ndonjë sulm.
Zelensky tha se vizita e Bidenit “është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme e mbështetjes për të gjithë ukrainasit”.
Biden tha se ndodhet në Kiev për të konfirmuar angazhimin e palëkundur të SHBA-së “ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
“Kur [presidenti rus, Vladimir] Putin nisi pushtimin gati një vit më parë, ai mendoi se Ukraina është e dobët dhe se Perëndimi është i përçarë. Ai mendoi se mund të na mposhtë, por e kishte gabim”, tha Biden.
Ai shtoi se SHBA-ja po përgatit një dërgesë të re të “pajisjeve kritike” për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore.
SHBA-ja është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmave për ushtrinë ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Uashingtoni i ka dërguar pajisje mbrojtëse dhe logjistike në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh.
Biden dhe Zelensky u takuan për herë të fundit në dhjetor, kur presidenti ukrainas qëndroi për vizitë zyrtare në Uashington.
Asokohe, Biden e siguroi homologun e tij se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën “do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë nevojë”.