Betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

Erden Atiq është betuar si kryetar i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore.

“Unë, Erden Atiq, betohem se do t’i ushtroj kompentencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha ai në deklaratën e betimit.

Atiq në këtë seancë e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.

Kryetari i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljani, para betimit ka thënë se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të mundësuar marrjen e detyrës së kryetarit..

Atiq doli fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill ku pjesëmarrja ishte vetëm 3.47 për qind, dhe ai fitoi rreth 66 për qind të votave.

Zgjedhjet u mbajtën pasi që kryetarët paraprakë që vinin nga Lista Serbe, patën dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.