Besian Mustafa shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa ka bërë të ditur sot se do të kandidojë për kryetar të LDK-së më 14 mars.

Mustafa ka thënë përmes rrjeteve sociale se është koha që LDK-së t’i kthehet shkëlqimi dhe madhështia.

“Të gjithë kemi përgjegjësi për Kosovën dhe LDK-në. Do kandidoj për kryetar të LDK-së më 14 mars. Kandidat vetëm dhe vetëm në kuti, pa matematika. Këto 15 vjet, që kulmuan me debaklin e 14 shkurtit, LDK ka humbur shkëlqimin dhe madhështinë e saj. Është koha t’ia kthejmë. Me rrënjët thellë në truallin e LDK-së dhe me fytyrën kah dielli i të ardhmes. Siç është bërë tanimë zakon në partinë tonë edhe këtu pres të ndërtohen e thellohen konspiracione “ky është i atij grupit” ose “i atij klanit” ose “i atij filanit.” Unë jam Besiani. Biologjikisht jam i Xhemailit. Politikisht, i LDK-së. Ideologjikisht, i themeleve të 1989-ës. Këto ndarja e grupe, qofshin reale apo fiktive, s’na bëjnë nder e s’kanë vend në LDK”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka shtuar se udhëheqja e LDK-së duhet t’i kalojë gjeneratës së re politike, siç ka thënë, në kuptimin e ideve, mendimeve dhe veprimeve që përkojnë me rrethanat politike të 10 viteve të ardhshme.

“Tradita e këtyre 15 viteve të fundit e denigrimit të kolegëve dhe ish kolegëve të partisë, duhet dhe do të përfundojë. Por, natyrisht, vendimmarrja nga 15 marsi do të kalojë tek një ekip tërësisht i ri, plot energji e vizion, që do të ketë qëllim primar nxjerrjen e LDK-së nga kjo situatë e rëndë dhe fillimin e reformave të thella në parti. Ky ekip do të diskutojë hapur, pa grupe e xhepa, secilën temë dhe do të nxjerrë vendimet më të mira për LDK-në dhe Kosovën, jo për individë e grupe”, ka thënë Mustafa.

Deri më tani kandidaturat për të marrë drejtimin e LDK-së i kanë paraqitur zyrtarisht Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku.

Mbledhja e LDK-së në të cilën do të zgjedhet kryetari i saj i ri do të zhvillohet më 14 mars.