Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se e hëna e 27 shkurtit në Bruksel nuk do të jetë e lehtë për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Ajo pret një nënshkrim për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, shkruan Tanjug.
“Nëse Vuçiq do të donte të lejonte kapitullimin, nuk do të kishte bërë asgjë për çështjen e Kosovës deri më sot”, ka thënë Bërnabiq.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen më 27 shkurt në Bruksel në kuadër të dialogut, ku do të diskutojnë për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve.
Në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, është bërë e ditur se fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin.
Këto takime do të fillojnë në orën 15:00 dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët.
“Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, në orën 16:15 Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve të ndara, në orën 17:15 Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve, Borrell pritet të mbajë deklaratë për shtyp.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar edhe Kurti edhe Vuçiq.
Ndryshe, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin evropian, si rrugë për normalizim të marrëdhënieve.