Berisha, Ramës: Jep dorëheqje, je rrezik për Shqipërinë, rajonin dhe më gjerë

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar gjatë protestës së opozitës këtë të shtunë se kryeministri Rama është një rrezik jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin e më gjerë.

Berisha kërkoi nga kryeministri që të japë dorëheqjen pasi, siç thotë ai, gjatë qeverisjes së tij Shqipëria është kthyer në një narkoshtet, ku zbarkojnë sasi të mëdha kokaine nga Kolumbia.

“Revolucioni ynë do të fitojë! Sot Shqipëria shihet si një vend ku mafia dhe kartelet e drogës pastrojnë paratë e krimit. Në dy vitet e fundit, importet nga Kolumbia janë rritur 60 herë për të shndërruar këtë tokë të bekuar, në një Kolumbi të dytë për Evropën. Edi Rama, ti je një rrezik madhor për sigurinë e Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë. Jep dorëheqjen dhe largohu me organizatën tënde kriminale”, është shprehur Berisha.