Besnik Berisha, avokat i akredituar për Dhomat e Specializuara në Hagë ka thënë në Interaktiv të KTV-së e ka quajtur “film me skenar të keq dhe aktorë të këqij” aferën e dosjeve në OVL të UÇK-së.
“E kam cilësuar, sot mbase është hera e tretë sot që po e theksoj se është film me skenar të keq dhe aktorë të këqij, me njerëz që po besojnë se po i bëjnë shërbim anëtarëve të Shoqatës së Veteranëve dhe jo vetëm. Por, gjykoj se vetëm sa do t’i sjellë dëm atyre që janë të dyshuar, për personat që janë ftuar si dëshmitarë, por dëmi më i madh do të jetë në këndvështrimin e faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Berisha, duke sqaruar fillimisht prirjen e tij që “emocionet patriotike t’i ndaj nga argumentet juridike”.
Si ka thënë ai, kjo “lojë me dosje është dhuratë me Serbia”.
“Kjo për ta bërë Kosovën të duket keq e më keq. Nuk është ndonjë risi, nuk është se ato kanë ardhur dje dhe sot. Ato kanë qarkulluar në Kosovë një kohë të gjatë, me muaj e mbase një vit. Janë vlerësuar dhe analizuar”, ka thënë Berisha.
Si ka thënë ai, nuk ka asnjë dokument të vetëm që është pranuar në cilësi të provës materiale, pra ndonjë shifër ose çfarëdo korrespondence të Speciales, përpos një korrespodence të prokurorëve serbë me prokuroritë e Dhomave të Specializuara.
“Ne kemi miratuar një ligj që jo vetëm që parasheh bashkëpunim juridik me prokuroritë e rajonit, kryesisht prokurorinë e Serbisë, por njeh edhe provat nëse janë siguruar ligjërisht nga ata. Ne e dimë që Serbia ka interes jetik që çdo shqiptar ta bëjë terroristë dhe kriminel lufte”, ka thënë ai.