Bekim Jashari – Sami Lushtakut: Unë dhe familja ime s’kemi pasuri 32 milionë, por kemi nder dhe krenari

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, ju ka drejtuar përmes një teksti në Facebook ish kryetarit të kësaj komune, Sami Lushtaku, duke publikuar dhe një video nga afera e njohur në publik si “Pronto”.

Jashari duke folur për Lushtakun ka thënë se i keq është ai që me paratë e popullit pasurohet në luftë dhe pas saj, transmeton Klan Kosova.

“Unë jam krenar që jam i djali i Hamzës dhe i takoj familjes Jashari, por nuk dua asnjë përfitim as falje në emër të kësaj.

Unë as djali im ashtu si mijëra familje të dëshmorëve nuk kemi pasuri 32 milionë të zhvatura, por kemi nder dhe krenari!

Samiu e ka pasur rastin për të dëshmuar respektin ndaj familjes Jashari dhe familjet e dëshmorëve, duke punuar me duar të pastërta, duke bërë punë të mira për qytetarët e komunës sonë. Ai në vend të kësaj bëri udhëheqje totalitare, duke luftuar lirinë e shprehjes, opozitarizmin, mediat dhe mendimin kritik”, ka shkruar Jashari.

“Ka ardhur koha e së vërtetës së shenjtë, e mendimit të lirë por të bazuar në fakte dhe argumente, e së vërtetës që do të them e do ta mbrojë tërë jetën time”.

“Unë dhe asnjë anëtarë i familjes Jashari që është i gjallë nuk kemi kërkuar as privilegj as mëshirë nga askush lerë më nga abuzuesit e zhvatësit e shtetit. Kemi pasur pasuri edhe para luftës, kemi edhe sot, paraja kurrë nuk ka qenë objektivi ynë. Liria, shteti dhe bashkimi kombëtar ishte dhe është ideali ynë i përjetshëm. Krejt çka kemi është e krijuar e ndërtuar me punën dhe djersen tonë”.