Bëhuni gati, nga kjo ditë priten reshjet e borës në Kosovë

Mot i butë dhe ndryshueshëm në fundjavë, me vransira, diell e riga lokale shiu. Nga e hëna mbrëma më ftohtë dhe priten reshje bore edhe në vise të ulëta. 

Pas reshjeve të shiut që ranë ditën e sotme, e në vise më malore edhe bore, në fundjavë parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm, por i butë, edhe me vransira të shtunën, e intervale me diell ditën e diel. Vende-vende me mundësi për riga lokale shiu, por kryesisht nga perëndimi i vendit.

Të dielen mbrëma reshjet e shiut shtrihen edhe në pjesë tjera të vendit, që vazhdojnë mëngjesin e së hënës. Në mbrëmjen e ditës së hënë sërish priten mundësi për të reshura shiu, por me rënie të temperaturës do të shndërrohen në reshje bore, që vazhdojnë edhe mëngjesin e së martës, ku më pas pushojnë gjatë ditës.

Qarkullimi më i mirë ajror, me motin dinamik që parashihet në fundjavë, mbanë ndotësit ajror më të shpërndarë, e indeksi i cilësisë së ajrit do të jetë kryesisht në vlera të pranueshme dhe mesatare. Vetëm në raste kur do të ketë periudha më të gjata të qetësisë, koncentrimet e ndotësve ajror do jenë në rritje, e indeksi vende-vende mund të kaloj edhe në vlera të dobëta dhe shumë të dobëta.

27.11 – Kryesisht me vransira dhe jo aq ftohtë. Mundësi për riga lokale shiu, kryesisht në perëndim të vendit.
28.11 – Butë me vransira e intervale me diell. Në perëndim të vendit mundësi për riga lokale shiu. Deri në mbrëmje vransirat shtohen, ku priten edhe të reshura shiu.
29.11 – Kryesisht vranët. Pasdite dhe në mbrëmje priten reshje shiu, që me rënie të temperaturës shndërrohen në borë.
30.11 – Ftohtë, në mëngjes vazhdojnë vende-vende reshjet e borës. Ditën vransirat shpërndahen, e në mbrëmje me kthjellime.
1.12 – Vransira dhe diell. Në mëngjes shumë ftohtë e me ngrica.

Temperaturat minimale në fundjavë luhaten nga 4C deri 6C, e ditën e martë e mërkurë zbresin në -1C dhe -3C. Ndërkaq temperaturat maksimalet në fundjavë shënojnë rritje deri në 13C, e të martën zbresin deri në 2C.

Do të fryjë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga jugu 5-12m/s, e nga e hëna mbrëma ndryshon kahjen nga veriu.
Shtypja atmosferike me tendencë të rënies së thellë.