Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza ka folur rreth kandidimit të mundshëm për kryetar të komunës së Mitrovicës.
Hamza në Pressing të T7 ka thënë se është para një udhëkryqi dhe para një dileme. Ai shtoi se ende nuk kanë një vendim përfundimtar se kush do të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të Mitrovicës.
“Me sinqeritetin ma të madh jam para një udhëkryqi dhe para një dileme. Ne të gjithë e dimë se për këto çështje vendosin strukturat e partisë. Nuk ka ende vendim përfundimtar kush do të jetë kandidat për Mitrovicën. Mbetet me u pa në ditët në vijim, nuk shkon gjatë kjo”, tha Hamza.
Ai tha se qytetarët e Mitrovicës e mirëpresin kandidaturën e tij për kryetar.
Tutje ai foli për kryetarin aktual të Mitrovicës, Agim Bahtirin dhe ish-kryetarin Avni Kastrati.
Hamza tha se ishte shumë befasuese humbja e Kastratit në zgjedhjet e vitit 2013 kur garoi me Bahtirin.
“E para ka qenë interesant dhe goxha befasuese humbja e zgjedhjeve në vitin 2013 kur zoti Kastrati ka qenë në garë me zotrin Bahtiri. Në rundin e dytë për befasi Bahtiri ka fituar më shumë vota se Kastrati dhe Kastrati nuk i fitoi as votat që i kishte në raundin e parë”, tha Hamza.
Tutje ai ka folur edhe për problemet në këtë komunë duke e ka kritikuar Bahtirin për ndërrimin e shpeshtë të drejtorëve.
“Komuna e Mitrovicës është ndër komunat që ka borxhe më së shumti të papaguara. Ndrrimi i shpeshtë i drejtorëve në drejtori shkakton pengesa. Kur te lyp kushdo qoftë duhet edhe me e largu, por duhet me e tregu arsyen, problemet e konkurseve në arsim”, tha Hamza.