Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij qeverisës, tashmë ka hyrë në vitin e katërt të mandatit qeverisës. Ndërkohë, aleatë të afërt të tij, por edhe blloku opozitar kanë lënë të nënkuptojnë se viti 2024 mund të jetë vit zgjedhor.
Partitë opozitare veçse kanë nisur përgatitjet për këto zgjedhje. Madje disa prej tyre edhe kanë zyrtarizuar kandidatët për kryeministër.
Kryeministri Albin Kurti i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë kandidat nga radhët e LVV-së edhe për një mandat tjetër si kryeministër, ditë më parë i ka ofruar opozitës në Kuvend ndihmën e partisë së tij për t’i bërë numrat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Kurti, duke sfiduar subjektet opozitare që të dërgojnë vendin në zgjedhje, ka thënë se opozita duhet ta thotë fjalën e vet.
“Ata numrat mund t’i bëjnë bashkë me neve. Kjo është ofertë e imja. Unë them që shkojmë në zgjedhje kur opozita dëshiron. Ne i ndihmojmë opozitës nëse duan të shkojmë në zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati”, ka deklaruar ndër të tjera Kurti.
E vetmja nga partitë opozitare që ka zyrtarizuar deri më tani kandidatin për kryeministër është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), shkruan Telegrafi.
Kryetari i këtij subjekti Memli Krasniqi në një konferencë për media të mërkurën, zyrtarizoi kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër nga kjo parti. Ai tha se Hamza është njeriu i duhur për këtë pozitë dhe për kohën në të cilën po kalon Kosova, andaj edhe i ka kërkuar që të marrë këtë përgjegjësi.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ditë më parë ka thënë se kryeministri Albin Kurti është dorëzuar. Duke folur për çështjen e shkuarjes në zgjedhje, Deliu-Kodra u shpreh se ose do të ketë shpërbërje të Kuvendit ose mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.
Ndërkaq partitë e tjera opozitare LDK e AAK ndonëse ende nuk kanë zyrtarizuar asnjë kandidat për kryeministër, në opinionin është diskutuar se ata mund të jenë Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.
LDK po mbanë takime me strukturat e saja në komunat e Kosovës. Së fundmi në një takim në Obiliq, Abdixhiku tha se LDK po mbledhë rreth vetes njerëzit më të mirë të vendit, si thirrje për ngritje të djathtë gjithënacionale, si domosdoshmëri për t’i dhënë vendit të ardhme.
Madje kreu i LDK-së pati edhe një porosi për Kurtin ku i tha se popullistët nuk e besojnë Kosovën dhe e shohin si të përkohshme.
E shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ditë më parë deklaroi se qeverisja e Kurtit po shkon drejt fundit dhe qytetarët duhet të përgatiten për zgjedhje.
I pyetur nga gazetarët se kur do të mbahen zgjedhjet, Gashi tha se “kjo mbetet në vendimmarrjen e kryeministrit sepse ai është në situatën e paaftësisë vendimmarrëse”, shkruan Telegrafi.
Gashi gjithashtu tha se opozita në numrat dhe përkrahjen që ka pas është në paaftësinë e vendimmarrjes për shkarkimin e Qeverisë.
Ndërkaq Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) muaj më parë nënshkroi koalicion me Nisma Socialdemokrate. Madje partia e Ramush Haradinajt së fundmi ka prezantuar edhe mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Haradinaj, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të deklarohet për mundësinë për shpërbërje të Kuvendit si dhe të thërrasë në takim partitë politike, për ta diskutuar këtë ndryshim kursi të kryeministrit, Albin Kurti.
Së fundmi Haradinaj ka thënë se AAK ende nuk ka kandidatë për kryeministër.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, që zgjedhjet të konsiderohen të rregullta, ato duhet të mbahen jo më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit të Parlamentit, e që në këtë rast i bie që ato të organizohen nga mesi i dhjetorit të 2024-tës.
Kujtojmë se më 14 shkurti i vitit 2021 nxori Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera.
Pak ditë më vonë, pas numërimit të të gjitha votave, u konfirmua ajo që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë; një parti politike, e vetme kishte marrë mbi 50% të votave.
Ky rezultat i mundësoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta krijonte e vetme kabinetin e ardhshëm qeveritar.
Në bazë të rezultateve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë besimin e 50.28% të qytetarëve që kishin dalë në zgjedhje. /Telegrafi/