BE: S’kemi konfirmim për takimin Kurti-Vuçiq, presim përgjigje pozitive


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se nuk ka ende një konfirmim apo datë për takimin që ishte paralajmëruar këtë javë në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Stano ka thënë se ka kohë deri në fund të javës, porse momentalisht s’mund të konfirmohet asgjë.

“Kemi thënë shumë për pritjet e pasojat. Gjëja kryesore është takimi në Bruksel. S’kam asnjë lajm, nuk jam pozitë të konfirmojë datë. Është e mërkurë, deri në fund të javës kemi edhe disa ditë. Por, aktualisht nuk mund të konfirmojë asnjë datë”, tha Stano në konferencë për media.

I pyetur nga korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, nëse mund të ketë vetëm takime bilaterale të Borrellit me Kurtin e Vuçiqin, e të mos ketë takim trepalësh, Stano ka thënë se po presin konfirmim të datës e më pas mund të vendosin modalitetet.

“Përfaqësuesi i Lartë, Borrell, ka ftuar dy liderët të vijnë në Bruksel deri në fund të kësaj jave. Po presim dhe po shpresojmë se do të jemi në gjendje të bëjmë publike datën dhe kohën e atij takimi, e më pas të diskutojmë modalitetet. Kryesore është të kemi datën e kohën e takimit. Nuk kemi kohë për të humbur. Është koha për veprime e jo për fjalë e spekulime”, tha Stano.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këtë javë në Bruksel për një takim për menaxhim krize, pas situatës së tensionuar në veri.

Kurti ka shprehur gatishmërinë për takim për të paraqitur të gjitha të dhënat që kanë për kidnapimin e tre policëve kosovarë nga forcat serbe.

Ndërsa Vuçiqi tha se “s’do të takohet me Kurtin derisa të mos lirohen të gjithë serbët e arrestuar, të mos largohen kryetarët nga katër komunat në veri dhe të mos largohen forcat policore nga komunat në veri”.